Këshilla të arta nga Hasan Basriu

Këshilla të arta nga Hasan Basriu

Hoxhë Sedat ISLAMI

 

Këshilla të arta nga Hasan Basriu

  1. Ai që bëhet objekt dyshimi, nuk do të ketë shpërblimin e përgojimit (ndaj tij).
  2. Ai që vepron pa dije është sikur ai që udhëton pa adresë.
  3. Allahu nuk i ka bërë kufij tjetër punës së besimtarit pos vdekjes. Lexoni në Kur’an (Hixhr: 99): “Adhuroje Allahun deri të të vjen vdekja.”
  4. Allahu xh.sh., muajin e Ramazanit e bëri fushë garimi për krijesat e Tij në të cilën garojnë me adhurimet për Të për tek kënaqësia e Tij. Një grup njerëzish garuan dhe fituan ndërsa disa të tjerë mbetën mbrapa dhe humbën…
  5. Besimtar është ai që bën punë të mira dhe ka frikë ndërsa hipokrit është ai që bën vepra të këqija dhe ndjehet i sigurt.
  6. Besimtari do të vazhdojë të jetë mirë për aq kohë sa kur flet, flet për Allahun, dhe kur vepron, vepron për Allahun.
  7. Besimtari kur ta ndreq mendimin (të mendojë mirë për Allahun), e ndreq edhe veprën.
  8. Besimtari nuk ngutet derisa derisa ta verifikojë (rastin).
  9. Bëhuni kureshtarë të merrni pjesë në ceremonitë e varrimit për shkak se në to ka tre lloje të shpërblimit: shpërblim për ngushëllimin, shpërblim për faljen e xhenazes dhe shpërblimin për mbulimin e saj me dhé.
  10. Bindje e dobët konsiderohet kur ti ke më shumë besë në atë që posedon në dorën tënde se në atë që është në dorën e Allahut.
  11. Braktisja e të marrit është afrim tek Allahu i madhëruar.
  12. Durimi është thesar mirësie të cilin Allahu xh.sh., ia jep vetëm besimtarit fisnik.
  13. E drejta e babait është më e madhe ndërsa respekti për nënën është më i obliguar.
  14. Është formë e tradhtisë ta shpalosësh sekretin e vëllait tënd.
  15. Festë është secila ditë në të cilën nuk mëkaton.
  16. Fjala pa vepër nuk vlen, sikur që fjala dhe vepra nuk vlejnë pa nijet. As nijeti, bashkë me fjalën e veprën, nuk vlejnë nëse nuk janë në përputhje me sunnetin.
  17. Fqinjësi e mirë nuk konsiderohet të heqësh dorë nga keqtrajtimi i fqinjit por ta përballosh keqtrajtimin e tij.
  18. Hasan Basriu kishte parë Ferkadin, një asket, që kishte veshur një xhybe të punuar nga leshi. E kishte kapur për dore dhe i kishte thënë: Devotshmëria nuk është në këtë rrobë. Devotshmëria është diç që zë vend në zemër dhe dëshmohet me vepra e punë.
  19. Hasan Basriu, në koment të ajetit “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!…” [Ali Imran: 31], ka thënë: Tregues i dashurisë së Zotit ndaj besimtarëve është që besimtarët ta pasojnë Sunentin, sikur që tregues i dashurisë së tyre ndaj Allahut është pasimi i Sunnetit të Muhammedit a.s.
  20. Istigfari ynë ka nevojë për istigfar.
  21. Kam lexuar në nëntëdhjetë vende në Kur’an se si Allahu ua ka caktuar robërve furnizimin dhe ua ka siguruar atë, ndërsa në vetëm një vend kam lexuar për djallin i cili i frikëson robërit me varfri. Megjithëkëtë, ne dyshojmë në fjalën e thënë nëntëdhjetë herë nga i Vërteti ndërsa i besojmë fjalës së gënjeshtarit edhe pse e thotë vetëm një herë?!
  22. Kam parë njerëz që kanë shpenzuar paratë e kanë kursyer gjuhën ndërsa pas tyre kam takuar njerëz që kanë kursyer paratë por jo edhe gjuhët e tyre.
  23. Kam takuar njerëz të cilët kanë qenë më kureshtarë për të ruajtur kohën se që jeni ju për të ruajtur paratë tuaja.
  24. Kam takuar Sahabet dhe kam jetuar gjatë në mesin e tyre. Iu betohem në Allah, më shumë janë ruajtur ata nga hallalli se sa ju nga harami!
  25. Kapitali i besimtarit është feja e tij; kur ta humbë atë, e humb edhe fenë.
  26. Kërkoje dijen por jo në llogari (dëm) të adhurimit dhe kërkoje adhurimin por jo në dëm të dijes, për shkak se kush vepron pa dije bën dëm më shumë se sa që rregullon.
  27. Kërkojeni diturinë dhe zbukurojeni atë me seriozitet dhe mirësjellje.
  28. Këshilloji njerëzit me veprat tua, jo me fjalët tua.
  29. Kur’ani është shpallur që të punohet sipas tij ndërsa disa njerëz e kanë kuptuar leximin e tij si veprim sipas tij.
  30. Kush e marron vëllain duke i përmendur një mëkat prej të cilit ai tashmë është penduar, Allahu do ta sprovojë me të.
  31. Kush nuk shfaq edukatë me Allahun mbi tokë, do ta edukojë Allahu nën tokë.
  32. Lëmoshë është dhe ta takosh vëllain duke i buzëqeshur!
  33. Matet ngjyra e dijetarëve me gjakun e dëshmorëve, fiton e para.
  34. Më shumë preferoj shpërblimin e të qenit në shërbim të vëllait mysliman se të kaloj një muaj të tërë në i’tikaf.
  35. Më shumë shpresoj në të mençurin që më largohet se në budallain që më afrohet.
  36. Mirë i ke punët për sa kohë që kur flet e vepron, flet e vepron për hir të Allahut!
  37. Modesti d.t.th., të dalësh nga shtëpia dhe këdo që ta takosh nga myslimanët ta shohësh më të mirë se ti.
  38. Mos u mashtro e të thuash: ‘Njeriu është me ata që i do!’ sepse ti nuk do të jesh pjesë e mirëbërësve nëse nuk i ke edhe veprat sikur të atyre…
  39. Muslimanit i shkon një kohë dhe i vjen tjetra ndërsa ai është në të njëjtën gjendje, me një fytyrë dhe me të njëjtën këshillë. Është hipokriti ai që ndryshon që të shfrytëzojë çdo gjeneratë dhe të merr pjesë në çdo fitim.
  40. Namazi, në të cilin nuk prezanton edhe shpirti, është më afër ndëshkimit se shpërblimit.”
  41. Ndodhë që njeriu për shkak të një mëkati të bërë të privohet nga namazi i natës.
  42. Në dunja janë dija dhe adhurimi ndërsa në ahiret është Xhenneti.
  43. Në të kaluarën atë që i jepte vëllait një dërhem hua e konsideronim koprrac sepse ne zhvillonim marrëdhëniet ndërmjet vete mbi bazën e bashkëpunimit dhe altruizmit.
  44. Në të kaluarën njeriu e kërkonte dijen ndërsa nuk kalonte gjatë e dija reflektonte pozitivisht në përkushtimin shpirtëror, udhëzimin, gjuhën dhe dorën (veprat) e tij.
  45. Nëse i ke dy ditë të ngjashme je në humbje, e nëse të djeshmen e ke më të mirë se të sotmen ti je i privuar.
  46. Nëse mësuesi nuk ndan drejtësi me fëmijët (nxënësit) llogaritet zullumqar.
  47. Nëse vëren se zemra të është vrazhdësuar, afroje tek dhikri.
  48. Nuk do të mund ta duash Allahun përderisa nuk e do bindjen dhe nënshtrimin ndaj Tij.
  49. Nuk e ka kuptuar fenë ai që nuk ruan gjuhën e tij.
  50. Nuk e mendoj Allahun si ndëshkues të njeriut që kërkon falje (bën istigfar)!- tha Hasan Basriu. Përse?- e pyetën. Si mund ta inspiroj për kërkim falje e pastaj ta ndëshkojë?- u përgjigj.
  51. Nuk ka pasuri më të madhe se të kesh Kuranin, dhe as varfëri më të madhe se të jesh pa të.
  52. Nuk konsiderohet dashuri për dynjanë kërkimi i gjërave që ta përmirësojnë gjendjen në të (dunja), sikur që nuk konsiderohet asketizëm në dynja braktisja e një gjëje të nevojshme që braktisja nuk mund tua përmbushë atë.
  53. Njerëzit janë tre lloje: disa janë sikur ushqimi që nuk bën pa të, disa janë sikur ilaçi që të duhen në ndërkohë ndërsa disa janë sikur sëmundja që askush nuk e do.
  54. Njeriu dëshpërohet për shkak të mëkateve sepse mëkati zhduk udhëzimin dhe dijen. Allahu thotë: “Kur ata u shmangën nga e vërteta, Allahu ua shmangu zemrat nga udhëzimi…” [Saf: 5]
  55. Njeriu do të vazhdojë të jetë i begatuar për aq kohë sa e di atë që shkakton shkatërrimin e veprës së tij.
  56. Një grup njerëzish janë shkatërruar nga dëshirat e faljes dhe shpresat për mëshirë derisa kanë dalë nga kjo botë ndërsa nuk kanë vepra të mira.
  57. Një natë, Hasan Basriu ndërsa lutej e përsëriste shpesh këtë dua: O Allah, fale atë që më ka bërë padrejtësi! Dikush që e dëgjoi duke e bërë duanë, e pyeti: Po lutesh për ata që të kanë bërë padrejtësi aq shumë saqë më bëre të dëshiroja të isha unë ai që të kam bërë padrejtësi! Si të mos lutem, kur Allahu thotë në Kur’an: “…e kush falë dhe pajton, shpërblimi i tij është te Allahu…” (Shura: 40)
  58. Pendim i sinqertë është ta urresh mëkatin që e ke dashur dhe të kërkosh falje sa herë ta kujtosh.
  59. Personalisht, më me dëshirë ia kryej një myslimani një nevojë se të fali njëmijë rekate (namaz vullnetar).
  60. Për të marrë mësim ka shumë raste por ata që marrin mësim janë të paktë.
  61. Po të kishin mynafikët bishta, zor se do të gjeje hapësirë në rrugë për të ecur.
  62. Po të mos ishin tre gjëra, njeriu nuk do ta ulte kokën: vdekja, sëmundja dhe varfëria.
  63. Që t’ia përmbush një nevojë vëllait mysliman më është më e dashur se sa të qëndrojë në itikaf një muaj.
  64. Sa kohë e mirë është dimri për besimtarin! Nata e tij zgjatet, e ai falet, ndërsa dita shkurtohet, e ai agjëron!
  65. Sa madhështorë janë ithtarët e të vërtetës! Për Zotin, njerëzit më shumë i janë druajtur shkopit të Omerit r.a. se shpatës së Haxhaxhit!
  66. Sahabet punuan ndërsa nuk u lëshuan në shpresa të rrejshme.
  67. Sëmundja është zekati i trupit ashtu sikur që sadakaja është zekat i pasurisë. Trupi që nuk sëmuret është sikur pasuria për të cilën nuk jepet zekat.
  68. Shëroje zemrën tënde sepse përmirësimi i saj është ajo që Allahu kërkon prej robërve.
  69. Shite dynjanë për ahiret, i fiton të dyja!
  70. Shpeshtojeni istigfarin ngase ju nuk e dini se kur zbret mëshira.
  71. Shtrëngimi i duarve (përshëndetja dorë për dore) shton dashurinë.
  72. Të darkosh me nënën tënde që ta bësh të kënaqur e të lumtur për mua ka më shumë vlerë se të bësh një haxh vullnetar.
  73. Të këqijat e vjetra trajtoni me mirësi të reja sepse nuk ka gjë që e largon një të keqe të kaluar si një e mirë e tanishme. A nuk ka thënë Allahu xh.sh.: “…veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija…” [Hud: 114]
  74. Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja, ndryshe do të bëheni (merreni) për këshillë. [Kuptimi: Nëse nuk urdhëroni për të mirë, Allahu do t’iu sprovojë me bela e fatkeqësi duke iu bërë që të tjerët të marrin mësim nga gjendja në të cilën jeni.]
  75. Vaiz (këshillues/predikues) është ai këshillon njerëzit me veprat e tij para se t’i këshilloj me fjalët e tij.
  76. Varri e han mishin dhe dhjamin por jo edhe imanin.
  77. Vlerësoni njerëzit sipas veprave, jo sipas fjalëve, sepse Allahu nuk ka lënë fjalë pa mos ia vënë edhe një vepër si argument, që e vërteton apo përgënjeshtron atë. Nëse e dëgjon një fjalë të mirë prej dikujt, mos u ngut ta vlerësosh thanësin e saj. Prit të shohësh nëse edhe veprat i ka të mira. Nëse po, atëherë vëllazëroje, duaje dhe miqësoje. Ndryshe, nëse fjala nuk i përputhet me veprën, atëherë çfarë tjetër të duhet për ta ditur se nuk është i mirë. Ik prej tij që të të mos tradhtojë!’
  78. Zemrat e njerëzve prishen për shkak të gjashtë gjërave: 1) bëjnë mëkate duke shpresuar se do të pendohen; 2) mësojnë por nuk punojnë sipas dijes; 3) e nëse punojnë sipas saj (dijes), nuk janë të sinqertë; 4) hanë nga furnizimi i Allahut por nuk e falënderojnë; 5) nuk ndahen të kënaqur me ndarjen-caktimin e Allahut, si dhe 6) varrosin të vdekurit e tyre por nuk marrin mësim.
  79. Zini sa më shumë shokë besimtarë sepse ata ndërmjetësojnë në Ditën e Kiametit.

Përkujtuesi Ditor 2024 © Të gjitha të drejtat e rezervuar