Besimtari më i mirë

Besimtari më i mirë

Hoxhë Sedat Islami

[Hyrje]

Feja islame është fe e përsosjes së vlerave dhe virtyteve. Nuk ka virtyt që ekziston e që Islami të mos e ketë sjellë në formën më të mirë të mundshme të tij. Ky është edhe misioni me të cilin u dërgua Profeti Muhamed ﷺ. Allahu i madhëruar thotë:

﴿ هُوَ الَّذِي بَعَثَ فِي الْأُمِّيِّينَ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ ﴾

“Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë…” [Kur’ani: Xhumuah: 2][1]

Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

إنَّما بُعِثْتُ لأُتممَ صالحَ الأخلاقِ

“Jam dërguar për të plotësuar moralin e mirë.”[2]

Arsyeja pse virtytet gëzojnë këtë pozitë në fe është se ato prezantojnë më së miri fetarinë tonë të vërtetë. Pra, nuk mund të jesh besimtar i mirë përderisa nuk ke edhe tipare e sjellje të mira. Këto të fundit, në fakt, janë dëshmi e besimit. Më qartë, kush ka besim të fortë, ka tipare të çmuara. Kështu na ka mësuar Profeti ynë, Muhamedi ﷺ:

أكْملُ المؤمنينَ إيمانًا أحسنُهُم خلقًا

“Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata me moralin më të mirë.”[3]

Nga këtu Profeti ynë, Muhamedi ﷺ, kur ka folur për besimtarët më të mirë, i ka klasifikuar sipas tipareve, e më saktë sipas pranisë së tyre pozitive në shoqëri, sipas angazhimit dhe kontributit të tyre për mirëqenien e përgjithshme.

Në këtë hytbe, me lejen e Zotit, do të mundohemi që duke cekur disa nga këshillat dhe mësimet profetike, të ndërtojmë një profil të besimtarit të dobishëm.

Xhematlinj të nderuar!

[Porosia profetike për të qenë i dobishëm]

Duke qenë se forma se si sillet e si vepron një besimtar paraqet në fakt besimin e tij, atëherë Profeti Muhamed ﷺ këtij aspekti i kushton rëndësi të madhe, duke e nënvizuar si një nga dëshmitë më bindëse të personalitetit të vyer dhe të çmuar të besimtarit.

أحبُّ الناسِ إلى اللهِ أنْفَعُهُمْ لِلنَّاسِ

“Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që është më i dobishmi për njerëzit…”[4]

Nga ky aspekt i dobisë, Profeti ﷺ e ka krahasuar besimtarin me bletën[5], e cila vetëm të mira sjell, sikur që angazhimin e tij për të mirën e të tjerëve e ka vlerësuar në shkallë të adhurimit individual që bëjmë.

السَّاعِي علَى الأرْمَلَةِ والمِسْكِينِ، كالْمُجاهِدِ في سَبيلِ اللَّهِ، أوِ القائِمِ اللَّيْلَ الصَّائِمِ النَّهارَ

“Besimtari që angazhohet për të përmbushur nevojat e grave të veja dhe varfanjakëve e ka shpërblimin sikur të luftëtarit në Rrugën e Allahut ose sikur të atij që falet natën e agjëron ditën.”[6]

Këtë aspekt vlerash Profeti ﷺ e ka kultivuar tek besimtarët duke i nxitur me kompensimin që do të kenë, jo nga njerëzit, por nga Zoti i njerëzve.

ومَن كانَ في حَاجَةِ أخِيهِ كانَ اللَّهُ في حَاجَتِهِ

“…e kush është në shërbim të përmbushjes së nevojave të vëllait, Allahu do t’ia përmbushë atij nevojat…”[7]

 

Të nderuar besimtarë!

[Përshkrimi figurativ i besimtarit të dobishëm]

Ky pozitivitet dhe kjo energji për të qenë i dobishëm dhe në shërbim të të tjerëve janë përshkruar në forma të ndryshme nga Profeti ynë, Muhamedi ﷺ. Ndonjëherë besimtari është krahasuar me:

  • bletën, e cila “thith nektarin e pastër, prodhon mjaltin e mirë; e cila po ra në lule nuk e thyen dhe nuk e shkatërron…” [8]
  • palmën “gjethet e së cilës nuk bien[9], respektivisht kontributi i tij pozitiv është i përhershëm, në çdo kohë dhe vend;
  • gjymtyrët e trupit, respektivisht në raport me të tjerët, gjegjësisht hallet dhe problemet e tyre, është krahasuar si një trup “gjymtyrët e të cilit ndajnë dhimbjen ndërmjet vete nëse ndonjë nga gjymtyrët vuan apo është e sëmurë…[10]

 

Myslimanë të respektuar!

[Shembuj të kontributit që besimtari i dobishëm mund të jep]

Fushat ku besimtari mund ta ushtrojë rolin e vet dobiprurës janë të shumta. Ajo që e motivon besimtarin për ta ushtruar këtë rol me kapacitetet më të mëdha të mundshme është lidhja e tij me të tjerët, lidhja vëllazërore, mu ashtu siç Allahu dhe i Dërguari i Tij na mësojnë. Allahu i madhëruar thotë:

﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ﴾

“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” [Kur’ani: Huxhurat: 10]

Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:

المُسْلِمُ أخُو المُسْلِمِ

“Myslimani është vëlla i myslimanit…”[11]

Dobia e besimtarit nuk është vetëm materiale por e përgjithshme. Madje ajo e vlerave dhe udhëzimit vlerësohet shumëfish ndaj materiales. Po përmendim disa shembuj sa për ilustrim nga të dyja fushat, morale e materiale:

  • përmbushja e nevojave materiale (siç përmendëm më lart);
  • largimi i brengave: “…e kush ia largon myslimanit një brengë (të kësaj bote) Allahu do t’ia largojë një brengë nga ato të Ditës së Kiametit….”[12];
  • mësimi i ndonjë dije, e veçmas atyre fetare: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin për vete dhe ua mëson të tjerëve.”[13];
  • ta gëzojë dhe ta bëjë të lumtur: “…Vepra më e dashur tek Allahu i madhëruar është gëzimi që e fut në zemrën e besimtarit…”[14] duke u interesuar për të, duke e vizituar apo duke i bërë ndonjë shërbim që e kënaq atë dhe e bën të lumtur…;
  • “…apo t’ia mbulojë (paguajë) ndonjë borxh…”[15];
  • “…apo t’ia largojë urinë…[16], respektivisht ta ndihmojë materialisht për ta luftuar skamjen dhe varfërinë.;
  • ta largojë ndonjë pengesë nga rruga[17];
  • ta udhëzojë në rrugë të drejtë një të huaj[18], e shumë e shumë mënyra tjera.

 

Vëllezër të nderuar! [Mesazhi përmbyllës]

Nga këto përshkrime që bëmë, mund të konstatojmë se personaliteti i besimtarit është i kompletuar. Besimi i tij nuk ndahet nga veprat e tij, përkundrazi, reflekton fuqishëm në to duke e stolisur me tipare të këtilla të çmuara. Rëndësia e kësaj nuk përmblidhet thjesht për individin por edhe për fenë pasi që është një nga mënyrat më bindëse të kumtimit të saj. Jo rastësisht fjalët e para që përzgjodhi Profeti ynë ﷺ posa arriti në Medinë ishin pikërisht të kësaj natyre: “O ju njerëz, përhapeni selamin në mesin tuaj, jepni ushqim, mbani lidhjet farefisnore…”[19] Pra, jini të dobishëm!

Në këtë kohë kur krizat kanë shpërthyer duke vërshuar e përmbytur shoqëritë, thirrja për të qenë të dobishëm duhet të dëgjohet më shumë se kurdoherë dhe përgjigja ndaj saj duhet të jetë më e madhe se kurdoherë më parë. Duke qenë të dobishëm na do Allahu dhe na duan robërit e Tij!

 

 

 

 

[1] Shih edhe: Kur’ani: Bekare: 129; 151: Al Imran: 164.

[2] Hadithin e shënojnë Ahmedi në Musned, nr. 8952, dhe të tjerë, ndërsa Albani e ka saktësuar në Essilsiletu essahiha, nr. 45.

[3] Hadithin e shënon Tirmidhiu në Sunen ndërsa Albania në Sahihu et Tirmidhij, nr. 1162, e konsideron hasen sahih.

[4] Hadithin e shënon Taberaniu në El mu’xhem el eusat, nr. 6026 ndërsa Albani në Essahihah, nr. 906, e saktëson.

[5] Shih: Musnedi i Ahmedit, nr. 6872. Ahmed Shakiri e ka saktësuar këtë hadith.

[6] Buhariu, nr. 5353; Muslimi, nr. 2982.

[7] Buhariu, nr. 2442; Muslimi, nr. 2580.

[8] Shih: Musnedi i Ahmedit, nr. 6872. Ahmed Shakiri e ka saktësuar këtë hadith.

[9] Buhariu, nr. 4698; Muslimi, nr. 2811.

[10] Buhariu, nr. 6011; Muslimi, nr. 2586.

[11] Buhariu, nr. 2442; Muslimi, nr. 2580.

[12] Po aty.

[13] Buhariu, nr. 5027.

[14] Hadithin e shënon Taberaniu në El mu’xhem el eusat, nr. 6026 ndërsa Albani në Essahihah, nr. 906, e saktëson.

[15] Po aty.

[16] Po aty.

[17] Shih: Muslimi, nr. 35.

[18] Shih: Buhariu, nr. 2891.

[19] Sahihu Ibni Maxheh, nr. 2648. Hadithi është i saktë.

Përkujtuesi Ditor 2024 © Të gjitha të drejtat e rezervuar